Përkundër borës së madhe të rënë ditëve të fundit, të gjitha rrugët në territorin e Komunës së Malishevës janë të kalueshme, ndërsa vështirësi ka në rrugët nëpër fshatrat e thella malore, siç janë Malet e Berishës.
Sipas Drejtorisë komunale për Shërbime Publike, të gjitha rrugët janë të kalueshme, ndërsa njësia e ndërmarrjes "Eko-regjioni”, në vazhdimësi është në teren, duke e bërë pastrimin e rrugëve.
Zyrtari komunal për transportin urban, Demush Krasniqi, i cili gjatë ditës ishte në teren, ka thënë se, "rrugët janë të kalueshme dhe se qarkullimi i automjeteve po bëhet normalisht, edhe pse në disa pjesë ka vështirësi. Për shkak të borës së vazhdueshme, kemi angazhuar mjete shtesë për pastrimin e rrugëve rurale”, tha Krasniqi.
Po ashtu edhe trotuaret nëpër qytet janë të pastruara dhe qytetarët mund të ecin lirshëm.
Sa i përket gjendjes së përgjithshme në komunën e Malishevës, pas të reshurave të mëdha të borës, mund të themi se, të gjitha rrugët janë të kalueshme, por me vështirësi, sidomos në fshatrat e vargmaleve të Berishës. Te kjo pjesë e territorit të komunës së Malishevës, tek mbrëmë është arritur mundësia e lidhjes me rrugën kryesore.
Në gjithë këtë situatë, janë të angazhuara makineri shtesë, përveç asaj që kanë qenë e përzgjedhur me tender, për pastrimin e rrugëve nga bora, për ç’gjë komuna ka ndarë 15 mijë euro. Në këtë kontekst ka edhe të atillë që janë lajmëruar vullnetarisht për të pastruar hequr borën, duke kërkuar vetëm heqjen e shpenzimeve të karburanteve.
Për të parë nga afër gjendjen me rrugët dhe situatën e banorëve në përgjithësi, gjatë gjithë këtyre ditëve ka qene në teren edhe vet kryetari i komunës së Malishevës, z. Isni Kilaj, dhe ekipe të tjera komunale si ato nga Drejtoria për Mbrojtje dhe Shpëtim dhe ajo për Shëndetësi dhe Mirëqenie Sociale.
• Me këtë rast janë ndihmuar me gjëra ushqimore rreth 35 familje, përfshirë këtu edhe dru e gjëra të tjera në këtë kontekst.
• Ekipe të Qendrës Kryesore të Mjekësisë Familjare (QKMF), kanë dalë në teren, kanë vizituar dhe kanë ndihmuar rastet që kanë kërkuar ndihmë shëndetësore. Gjatë këtyre ditëve janë ndihmuar 13 raste të ndryshme shëndetësore. Drejtori i Drejtorisë së Shëndetësisë, Skënder Hoti, ka qenë dhe është në kontakt të vazhdueshëm me kryetarët e fshatrave për tu informuar për raste të tilla.
Megjithatë sot, situata e qarkullimit në komunën e Malishevës, është lehtësuar, por mbetet akoma për tu bërë.
Deri tani nuk ka të raportuara për dëme materiale, përjashtuar mbulojën një fushe(montazhe) futbolli, këtu në qytetin e Malishevës. Ndërkohë që kryetari i komunës së Malishevës, z. Isni Kilaj, ka apeluar te qytetarët që t’i bashkëngjiten ekipeve për pastrimin e rrugëve nga bora, si dhe të kenë kujdes në heqjen e borës nga çatitë e shtëpive të tyre.