Mediat e Beogradit njoftuan se presidenti i Serbisë, Boris Tadic, i paska akorduar përkujdesje deri në moshën 18 vjeçe fatkeqes nga Restelica, Amsera Rekës, e cila në saje të Forcës së Sigurisë së Kosovës u nxor e gjallë nga rrënojat e shtëpive të shembura nga orteku i borës dhjetë metra të trashë. Beogradi kështu i bën marketing ambicieve që në një pjesë të Komunës së Dragashit, të banuar me boshnjakë, të krijojë një komunë satelite të Serbisë.
Por, pas përkujdesjes që i siguruan qytetares së vet institucionet e Kosovës, dhe keqpërdorimit të rastit për qëllime politike, tashmë naive, të Serbisë, për Amsera Rekën del në skenë edhe Maqedonia, po me ambicie të ngjashme si fqinjit tjetër. Amsera gjoja qenka shtetase e Maqedonisë. Prindërit e saj, tridhjetëveçari Abdullah dhe njëzet e nëntë vjeçarja Garka, si dhe vllai i saj dyvjeçar, e humbën jetën në një ortek bore. Ata janë goranë maqedonas të cilët, edhe pse jetojnë në territorin e Kosovës, paskan shtetësi maqedonase, shkruajnë mediat maqedonase.
Nga Ministria e Punëve të Jashtme thonë se nga afër do t’i ndjekin zhvillimet në Restelicë dhe nëse është e nevojshme shteti i Maqedonisë do të merr kujdestarinë për këtë vajzë të vogël, transmeton raportimet e medieve maqedone shqipmedia. Nga MPJ bëjnë të ditur se në qoftë se të afërmit e saj nuk duan të kujdesen për Amserën, atëherë për të do t’u kujdeska Ministria maqedonase për Punë dhe Politikë Sociale.
Qarqe politike në Maqedoni vazhdojnë të pretendojnë përvetësimin e komunitetit goran në Kosovë dhe përmes tyre edhe të territorit që e banojnë.